Këngëtarja e shkrirjes së kulturave nëpërmjet muzikës

Spread the love

Në familjen e 25-vjeçares nga Prishtina, dashuria për muzikën nuk mungon. Ebru Jilta është rritur e rrethuar me instrumente të ndryshme. Në mesin e tyre ishte edhe violina në të cilën luan i ati i saj, që me profesion është mjek, pastaj instrumenti saze ose bakllam, i vëllait të saj, inxhinier i kompjuterikes. Për qejf muzikën e ka edhe ëma e saj, që është mësuese, por edhe anëtarët e tjerë të familjes. Jilta, e lindur më 26 tetor 1995, e rritur në një frymë të tillë, nuk kishte si të ikte nga kjo fushë e artit. Dallohet për zërin e saj të butë kur del në skenë dhe nga loja në kitarë mësohet që ajo është autodidakte në këtë drejtim. Dashurinë që ka për muzikën dhe për eksplorimin e saj e bënë që krahas punëve të tjera të gjejë kohë edhe për atë që e konsideron si hobi.

Baraspesha midis hobit dhe profesionit

Ebru Jilta që e vogël nisi të shfaqte interesim për muzikën. Kjo nuk kaloi pa u vënë re nga i ati i saj. Ai ishte i mendimit që ajo të studionte për muzikë. Jilta bëri diçka të tillë kur përfundoi shkollën e mesme “Prenk Jakova” në drejtimin e kitarës dhe solfexhit.

Në një bisedë për KOHËN, një natë pas koncertit 30-minutësh që dha në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, thotë se shkuarja në shkollë të muzikës është pak a shumë një traditë familjare.

“Në shtëpi kemi plot instrumente. Në familje shumë njerëz merren me muzikë dhe e kanë përfunduar shkollën e mesme të muzikës. Unë në shtëpi kam bërë shumë shpesh muzikë bashkë me babin, prandaj gjithmonë e kam dashur muzikën dhe me të jam rritur”, thotë Jilta.

Emocionet dhe frika se do t’i ngatërrojë fjalët i rriten sidomos kur këndon shqip. Tregon se kështu ishte ndier edhe gjatë performancës në “DAM”. Mirëpo, kur nis meloditë në kitarë, zëri i saj nuk e tradhton. Ajo rrjedhshëm shqipton fjalët dhe kap notat. Me një qetësi të ëmbël këndon në gjuhën turke dhe shqipe. Të dyja i vijnë natyrshëm, me gjithë shqetësimet e saj.

Jilta për nga ana profesionale qëndron larg muzikës. Ka përfunduar në vitin 2018 studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në universitetin “Yıldız Technical”, në Turqi. Gjatë studimeve, kur gjente kohë, këndonte nëpër organizime të ndryshme. Kryesisht thotë se është ftuar nëpër ngjarje kulturore nga instituti “Yunus Emre”. Për më shumë se një vit punon në bankën BKT në Departamentin e Institucioneve Financiare, por thotë se çdoherë mundohet që të gjejë kohë për muzikën.

Ebru Jilta nuk ka një shkollim adekuat në muzikë dhe nëse nuk llogaritet shkolla e mesme, lehtësisht mund të thuhet se ajo është autodidakte.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *