Nuk është marrëveshje. Është Deklaratë Unilaterale Shtetërore!

Spread the love

Si mund të ketë marrëveshje me vetëm një nënshkrim në të!? Çka është nëse nuk është marrëveshje ndërkombëtare? Pse ky reduktim nga njohja reciproke në njw deklaratë të njëanshme?

Shkruan: Arton Musliu

Në web faqën zyrtare të Zyrës së Kryeministrit të Republikës tashmë gjendet dokumenti i nënshkruar në Washington më 4 shtator, i protokoluar dhe gjithashtu i përkthyer në gjuhen shqipe dhe atë serbe. Ky dokument është i emërtuar si ”Marrëveshja për normalizimin e raporteve ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë” (shih KËTU). Ndërkohë që emërtimi real i këtij dokumenti është ”Normalizimi ekonomik”.

Tani lindë pyetja, a mund të quhet marrëveshje një dokument i cili është i nënshkruar vetëm nga një palë. Natyrisht që jo. Atëherë pse po ndodhë një gjë e tillë? Sepse shkuan për njohje reciproke, u kthyen me një deklaratë të njëanshme shtetërore. Pa njohje nga Serbia, pa asnjë interesim për shqiptarët në Serbi e duke leju diskutim për pasuritë ujore të Republikës.

Sidoqoftë, interpretimi konvencional përkitazi me marrëveshjet në të drejtën ndërkombëtare është shumë i thjesht. Aq më tepër që një gjë e tillë rregullohet përmes Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve Ndërmjet Shteteve. Sipas kësaj të fundit, në mënyrë që të jetë ligjërisht e obligueshme, një marrëveshje duhet të jetë e nënshkruar nga të dyja palët dhe njëkohësisht duhet të bëhet shkëmbimi i instrumenteve (letrave), gjë e cila në rastin e 4 shtatorit nuk ka ngjarë. Ajo çfarë kemi parë është nënshkrimi i dy letrave/dokumenteve të ngjashme por jo të njëjta nga pala kosovare dhe ajo serbe dhe një deklaratë e nënshkruar nga Presidenti Trump drejtuar kryeministrit Hoti.

Përveç kësaj, gjithnji sipas doktrinës juridike ndërkombëtare, marrëveshjet janë valide dhe ligjërisht të obligueshme vetëm nëse ndodhin ndërmjet dy palëve/subjekteve/entiteteve. Për më tepër që marrëveshjet ndërkombëtare shquhen për nga qëllimi i palëve për të krijuar të drejta dhe obligime ndërmjet tyre. Në këtë rast, as Kosova e as Serbia nuk kan të drejta dhe obligime ndaj njëra tjetrës, por nuk kan as ndaj palës së tretë e cila në këtë rast është Amerika. As Amerika nuk ka nënshkru asnjëren nga dokumentet që kan nënshkru Hoti e Vuçiç. Kjo e fundit përmes një deklarate ka përshëndetë dhe mbështetë këto përpjekje të Kosovës për normalizim ekonomik, por që ne ende nuk e kemi parë deklaratën e Shtëpisë së Bardhë drejtuar Serbisë! Gjithashtu në këtë deklaratë të njëanshme shtetërore, rrespektivisht dokument, nuk gjenden emrat zytarë të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Por, nëse nuk është marrëveshje në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare tradicionale, atëherë çka ka nënshkru kryeministri Hoti? Kryeministri Hoti ka nënshkru një Deklaratë Unilaterale Shtetërore. Si e tillë kjo deklaratë, sipas mendimit tim, prodhon efekt juridik në të drejtën ndërkombëtare dhe për rrjedhojë edhe Kosova edhe Serbia janë të lidhura (to be bound) për të. Këtë e vërteton Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me kontestin ndërmjet Francës në njërën anë dhe Australisë e Zelandës së Re në anën tjetër. Gjithashtu edhe Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare i Asamblesë së Përgjithshme të OKB- së, përmes ”Parimeve Udhërrëfyese të Aplikueshme për Deklaratat Unilaterale të Shteteve të cilat Krijojn Detyrime Ligjore”, të vitit 2006. Në secilin rast kjo deklaratë duhet të trajtohet sipas parimit pacta sunt servanda. Pra, praktika juridike ndërkombëtare por edhe doktrina juridike tregon për një evoluim të së drejtës ndërkombëtare tradicionale në të gjitha fushat, e edhe në fushën e modaliteteve të krijimit të relacioneve ndërshtetërore.

Ndërkohë që intenca e këtij reduktimi procedural qëndron në triumfin diplomatik dhe politik të Serbisë duke qenë se kjo e fundit përmes këtij anashkalimi arriti që të mos vendosë nënshkrimin në të njëjtën letër/dokument me autoritetet kosovare. Sepse në të kundërtën kjo do të konsiderohej njohje implicite e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga ana e Serbisë. Dhe ky është gabimi dhe lëshimi i autoriteteve kosovare. Sepse shkuan për marrëveshje për njohje reciproke, degraduan në një deklaratë të njëanshme shtetërore.
Në aspektin përmbajtësor shqetësimet lidhen me pikën ku flitet për Ujmanin. Sipas verzionit të përkthyer në gjuhën shqipe të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, përkitazi me liqenin e Ujmanit thuhet ”Të dyja palët pajtohen të punojnë me Departamentin e Energjisë të ShBA-ve, si dhe me subjektet e tjera përkatëse të Qeverisë së ShBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllim të shfrytëzimit të përbashkët të liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si burim të qëndrueshëm të ujit dhe furnizimit me energji”!

(Autori është njohës i çështjeve juridike, botues i dy librave universitare nga shkencat juridike)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *