Kandidati i VV-së për deputet nga Diaspora i quan rrenca votuesit kosovar

Spread the love

Kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Liri Loshi, ka shprehur zhgënjimin e tij me votat e marra në zgjedhjet e 14 shkurtit.


Votat po më dalin shumë më pak se kam menduar dhe edhe më pak se më janë premtuar nga miq e dashamirë, apo nga ata që kanë lobuar për mua. Sidoqoftë, nuk jam i deshpëruar fare nga votuesi kosovar që jeton brenda Kosove. Pas 21 vitesh të kthehesh në vendin tënd dhe të kërkosh votën për deputet, ngjan në një guxim tepër të madh. Sinqerisht. Madje, nuk di si kam guxuar!

Votuesi shqiptar po bëhet gjithnjë e më i emancipuar dhe më real në vlerësimet e veta të pavaruara. Sidoqoftë, unë kam marrë numër simbolik të votave në çdo qytet të Kosovës dhe kjo tregon se votuesi kosovar nuk është kundër meje, por ai ka nevojë të dijë më shumë për mua e kjo njohje është vështirë të realizohet nga një largësi aq e madhe fizike me njeri tjetrin.

Ende nuk i kam te njohura votat e Prishtinës dhe kjo mund ta përmirësojë pak numrin e votave, i cili është larg numrit të domosdoshëm për t’u bërë deputet. Pa Prishtinën, Pejën, Prizrenin, Ferizajin, Podujevën… i kam diku rreth 1900 vota. Istogu më ka dhënë 404 vota, ndërsa Skenderaj vetëm 303 (nuk i kam parë ende!). Kjo sikur e eliminon dilemen time dhe tuajen se a më shumë jam i Drenicës, apo i Rrafshit të Dukagjinit! Por, mbi të gjitha unë gjithmonë jam ndjerë se jam i Kosovës sime që është aq e vogël, por edhe aq e dashur dhe aq e bukur sa nuk mund ta ndaj.

Tash pres votën e Prishtinës dhe të diasporës. Duke u bazuar në premtimet që kam marrë në Kosovë dhe votën aktuale që kam brenda vendit, pres që e njëjta gjë të ndodh edhe me votuesin e diasporës duke llogaritur se metaliteti ynë mbetet afërsisht i njëjtë pavarësisht se ku ndodhemi, apo ku jetojmë. Votuesi ynë në masë të konsiderueshme genjen kur premton se do të të votojë, ashtu sikurse politikani që genjen se do ta bëjë një gjë për votuesin e vet e që i del në fund mandatit pa bërë asnjë punë. Kjo është kultura jonë. Për mua kjo është një pervojë e re dhe një sfidë interesante, për të cilën nuk kam qenë i përgatitur, sepse nuk kam pasur asnjë lidhje më parë se si bëhet e çfarë ndodh.

Një gjë që më shqetëson shumë është qëndrimi i KQZ-së ndaj votës së diasporës, ku afër gjysma e votave po diskualifikohen si jo të rregullta. Kjo më dëmton mua shumë si kandidat, por më shumë e dëmton procesin zgjedhor e sidomos subjektin tim politik, i cili mund të mos arrijë shumicën e doemosdoshme për ta bërë qeverinë. Një qasje e tillë e KQZ-së është vërtet e pakuptueshme dhe unë mendoj se Vetëvendosje ka të drejtë të ankohet për dëmin që po pëson.

Normalisht do të duhej të prisja edhe pak për ta bërë këtë postim, por duke qenë se kurioziteti i miqve dhe lexuesve është i madh për të mësuar dicka më shumë për votën time, vendosa që t’ju njoh më kohë për ato që di vetë e kjo do të thotë që të jem sa më transparent me ju, siç ju kam premtuar dhe siç kam provuar të jem.

Vota e diasporës do të duhej të mjaftonte për një kandidat të diasporës për deputet. Nëse nuk e marr këtë votë, kjo i bie se diasporës i duhet një kandidat më i mirë, ose që diaspora nuk ka inteteresim të vërtetë për ta pasur deputetin e vet. Sepse, deputet nuk bëhesh duke të bërë likes në Facebook, por duke ta bërë shenjen kaluese në fletvotim.

Ajo që mund të më ketë dëmtuar mua në Kosovë mund të jetë edhe qëndrimi im i qartë dhe shumë i theksuar se nuk do te bëj favore për ata që ma japin votën, por as diskriminim për ata që nuk ma japin atë. Mendoj se votuesi kosovar duhet ta pranojë një qëndrim të tillë nëse dëshiron ta ndërtojmë një shoqëri ku parimi i barabarësisë nuk kushtëzohet as nuk komprometohet me votë.

Tash ju lutem mos shprehni keqardhje pse votat për mua janë nēn parashikimet e mia, apo tuajat, sepse statusi i votës sime është pikërisht barometër i vullnetit tuaj. Neve na duhen vlerësimet reale e nuk ka vlerësim më real sesa ai që bëhet me votë. As unë as ju nuk kemi nevojë për hipkorizi. Ta eliminojmë këtë për aq sa mundemi në të ardhmen. Sepse, duke mos qenë vetja jonë e kemi vështirë ta shohim atje ku e duam vendin tonë.

Të mbesim edhe me tutje me shpresë! Unë kam thënë disa herë dhe prapë po e them se nese për të gjithë shpresa vdes e fundit, për mua kjo thenie nuk vlen. Për mua shpresa nuk vdes kurrë derisa unë ekzistoj. Fundja ne mund të bëjmë shumë gjera të rëndësishme për vendin edhe pa qenë në parlament. Unë ju premtoj se nuk do te ndalem në rrugën time politike që kam filluar derisa të kem shëndet dhe frymë.

Ju dua të gjithëve përafërsisht njësoj, pavarësisht cili është besimi juaj për mua. Jeni qytetarë të atdheut tim dhe të gjithë e meritoni njesoj kujdesin dhe punën time për juve. Shpresoj qē vota juaj të ketë caktuar njerëzit me të denjë për të qenë pjesë e parlamentit dhe insitucioneve shteterore që presim ta bëjnë ndryshimin.

Edhe njëherë. urime fitorja e madhe që tashmë e kemi në duar. Shpresoj të përdoret drejt dhe të kënaqën pritjet tuaja që kësaj radhe nuk janë modeste. Janë pritje bukur të mëdha. Nuk është lehtë te jesh brenda loje, sepse shumē më shumë se privilegj, kësaj radhe është obligim dhe është mision.

Urime dhe paqim shumë fat të gjithë bashkë.
Unë vazhdoj duke pritur se çfarë do të jetë vullneti i diasporës! Nuk do të ju quaj “gërnaçë” pavarësisht së si keni votuar. Sepse, kur ju thashe se ju dua shumë, e pata me gjithë mend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *